Takimi i ardhshëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të mbahet të hënën më 19 korrik, në Bruksel, shkruan Insajderi.
Lajmin për Gazetën Online Insajderi e ka konfirmuar,zëdhënesja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi.
“Takimi i ardhshëm për kapitullin e ri do të mbahet më 19 korrik”, ka deklaruar ajo.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se ata do të vazhdojnë bisedimet në kontekstin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ky takim i nivelit të lartë të dialogut, do të fokusohet në diskutimin për progresin e arritur – për hapat e ardhshëm në dialog, i cili është shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano, transmeton REL.
Ai gjithashtu rikujtoi se dialogu është shumë i rëndësishëm për perspektivën europiane të të dyjave vendeve dhe tha se duhet të ketë kompromis.
Ky është takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, ndërsa për herë të parë, dy zyrtarët janë takuar më 15 qershor të këtij viti.
Javën e kaluar në Bruksel janë takuar zëvëndëskryeministri i Kosovës për dialog, Besnik Bislimi me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq./Insajderi.com