1500% më shumë mërgimtarë këtë vit, krahasuar me 2020

1500% më shumë mërgimtarë këtë vit, krahasuar me 2020

Mërgimtarët e shumtë kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në Kosovë. Numri i tyre është shumëfishuar pasi që një pjesë e tyre nuk kanë mundur që të vijnë vitin e kaluar për shkak të pandemisë COVID-19.

Që lehtësimi i masave ka ndikuar në rritjen e numrit të fluturimeve dhe udhëtarëve nga diaspora, e kanë konfirmuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

Bujar Gashi nga zyra për marrëdhënie me publikun e ANP-së, ka thënë për Gazetën Online Insajderi se vetëm gjatë muajit qershor janë realizuar një mijë e 378 fluturime, me gjithsej 176 mijë e 92 udhëtarë, derisa ka treguar që numri më i madh i fluturimeve është nga Zvicra.

“Gjatë muajit qershor i kemi shërbyer 176 mijë e 92 udhëtarëve ( vajte- ardhje) dhe kemi pas një mijë e 378 fluturime, ndërsa Zvicra prinë me numrin e fluturimeve dhe udhëtarëve”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, në të njëjtin muaj të vitin 2020, janë realizuar vetëm 148 fluturime dhe 10 mijë e 914 udhëtarë.

“Nëse krahasojmë me vitin paraprak kemi +1513.45 për qind më shumë udhëtarë këtë vit për muajin qershor në krahasim me vitin e kaluar për të njëjtin muaj dhe 831.08 për qind më shumë fluturime”, ka shtuar Gashi.

Në anën tjetër njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka thënë për redaksinë se diaspora ndikon në stabilitetin ekonomik  dhe ardhja e tyre ndikon direkt në buxhetin e Kosovës.

“Në rend të parë duhet të kuptohet që kontributin dhe meritën më të madh për stabilitetin e ekonomisë në Kosovë e kanë diaspora, e cila vërtetë duhet të pranohet që ka kontribuar aq sa ka qenë buxheti i planifikuar i Kosovës”, ka shtuar ai.

Ai më tej ka thënë së kontributi i diasporës është përmes tri rrugëve.

“Në këtë drejtim nuk i bëhet nder diasporës nëse thuhet që i ka dërguar vetëm 800-900 milionë euro. Diaspora ka tri rrugë përmes të cilave ka kontribuar në Kosovë. Është qasja direkte, indirekte dhe perifere në të cilën kanë kontribuar. Të gjitha këto mjete të cilat përmenden janë të vetë-dorëhequra përmes institucioneve financiare”, pa pohuar ai.

Në anën tjetër, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftua së Qeveria e Kosovë ka vendosur që të mbulojë “Kartonin e Gjelbër” për të gjithë bashkatdhetarët që vinë në Kosovë.

“Nga 1 korriku deri më 31 dhjetor të gjitha të gjitha shpenzimet për sigurimin e veturave për diasporën do t’i paguajë qeveria, e që priten të jenë gjashtë milionë euro”, ka deklaruar Murati.

Këtë vendim të Qeverisë e ka përshëndetur edhe Gërxhaliu, i cili ka thënë së kjo është më e pakta që mundemi të bëjmë për ta.

Ai ka thënë se kush do që të fitojë Prishtinën duhet që në planin e tij qeverisës ta këtë “Sheshin e Diasporës” në shenjë falënderimi për të gjithë kontributin e tyre./Insajderi.com