Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se rastet e para që dyshohet të jenë të helmimit me ujë të pijes në këtë komunë, janë paraqitur në 10-ditëshin e parë të muajit qershor, njofton Insajderi.
Ai ka potencuar se rastet e para të helmimit janë paraqitur te banorët e fshatit Krushevc të Pejës, të cilët shfrytëzojnë burimin e Hidrodrinit për ujë të pijes.
Tutje, Ramosaj ka konfirmuar që “do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje”.
“Qytetarët kanë të drejtë të dinë pse ka ndodhur kjo. Ne kemi pas në 10ditëshin e parë të muajit qershor me banorët e fshatit Krushevc të Pejës që furnizohet me ujë që është nën menaxhimin e “Hidrodrinit”. Ky rast ka qenë i izoluar sepse pas kësaj analize nuk pat më shqetësime dhe ndodhi që në muajin korrik të përsëritet e njëjta por në përmasa më të mëdha, kjo na bënë që këto analiza të jenë më të thella dhe të dihet se a është për ujë.
Ne asnjë herë nuk kemi vendos në shënjestër dikë. Qoftë edhe teoritë konsiprative që janë ngrit të shkohet deri në fund, sepse meritojmë të jetojmë të qetë në këtë shtet”, është shprehur Ramosaj, duke treguar se mbrëmë kanë arritur ndihmat me ilaçe të nevojshme për trajtimin e pacientëve nga Ministria e Shëndetësisë.
Numri i personave të helmuar, siç ka njoftuar ai, ka kaluar mbi një mijë e 500, derisa ka shtuar se disave prej tyre po i përsëritet situata për herë të dytë.
Ndërsa drejtori Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha tha se rreth një mijë e 182 persona janë trajtuar në këtë qendër.
“Me datën 10 janë trajtuar 288 pacientë, me datën 12 janë trajtuar 324 pacientë, me datën 13 janë trajtuar 310 pacientë ndërsa sot deri në orën 15:00 janë 120 ndërsa totali që janë trajtua në QKMF një mijë e 182 deri më sot”./Insajderi.com