Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të mërkurën mbrëma ka njoftuar se numri i qytetarëve me simptoma helmimi në Deçan nuk është në rritje dhe se situata është nën kontroll, përcjell Insajderi.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar të gjithë ata që janë të angazhuar në menaxhimin e krizës në këtë komunë, pas helmimit masiv të qytetarëve atje.
“Veçanërisht, falënderim për kryetarin e komunës z.Bashkim Ramosaj, Shtabin Emergjent, personelin mjekësor dhe teknik, ushtarët e Kosovës, ushtarët e KFOR-it nga kontingjenti amerikan dhe italian, Policinë e Kosovës, Bashkësinë Islame, bizneset, organizatat humanitare dhe qytetarët e vullnetit të mirë që kanë ndihmuar në forma të ndryshme”, ka shkruar Haradinaj.
Ai tutje u ka uruar shëndet të plotë të gjithë qytetarëve si dhe ka uruar “që të mos kemi më fatkeqësi të tilla”./Insajderi.com