Musliu: S’ka vend për panik për siguri nacionale në Deçan

Musliu: S’ka vend për panik për siguri nacionale në Deçan

Kryetarja e Komisionit për Mbikqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Ganimete Musliu, është deklaruar pas raportimit të drejtorit të kësaj agjencie në Komision, njofton Insajderi.

Në një konferencë për shtyp, të mbajtur pas kësaj mbledhje, Musliu tha se Ajeti ka raportuar lidhur me sigurinë nacionale pas gjendjes së krijuar në Deçan, për çka siguroi se qytetarët deçanas nuk duhet të kenë panik sa i përket kësaj ane.

“Pyetjet tona drejt Drejtorit të AKI-së ishin të fokusuara në sigurinë nacionale, për të cilën na tha se qytetarët e Deçanit nuk duhet të kenë panik sa i përket anës së sigurisë kombëtare dhe përgjegjësive që i ka AKI, e cila është në krye të detyrës, po vëzhgon çdo lëvizje atje. Kaq mund të them momentalisht sepse këto janë ato që na tha drejtori në komision”, ka thënë ajo.

Musliu më tej tha se nuk mund të thotë asgjë përfundimtare për këtë gjendje të krijuar, pa pasur analiza të vërtetuara, duke njoftuar se analizat e ujit do të shkojnë për ekspertizë në vendet evropiane.

“Nuk mund ta quajmë helmim se nuk kemi analiza të vërtetuara, këto përfundime i nxjerrin institutet shëndetësore, që të dimë a është helmim epidemi apo diçka tjetër. Nuk janë të dhëna përfundimtare, janë preliminare për derisa ne nuk e kemi të saktë situatën se çka në të vërtetë është duke ndodhur. Instituti ka dalë me analizat e ujit ku thuhet se uji nuk është i helmuar ndërkaq në anën tjetër analizat do të shkojnë për ekspertizë në vendet evropiane, prandaj duhet pritur”, ka thënë ajo. /Insajderi.com