Arben Vitia nga Deçani: Situata është nën kontroll

Arben Vitia nga Deçani: Situata është nën kontroll

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka vizituar Deçanin të enjten ku tha se “situata është e qetë dhe nën kontroll”.

Në Deçan mbi 1.500 qytetarë dyshohet të jenë helmuar, banorët aludojnë te uji.

“Ne qëndrojmë pranë drejtorit dhe qytetarëve të Deçanit dhe stafit shëndetësor, qoftë me nevoja të cilat i kanë qytetarët, qoftë edhe me probleme sa i përket resurseve humane, ka ekip të jashtëzakonshëm të stafit shëndetësor”, ka thënë Vitia.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës që është mbajtur të mërkurën, Vitia shtoi se “mostrat do të dërgohen jashtë vendit për analizë”.

“Ashtu siç kemi thënë, një pjesë e rezultateve kanë dalë, pjesë të tjera po pritet sepse duan kohë për mbjelljen e kulturave bakteriale. Në momentin që i kemi gati, do të informojmë të gjithë qytetarët”, ka thënë Vitia edhe në Deçan.

Ndryshe, opozita është duke e kritikuar Qeverinë se “po e neglizhon këtë situatë”.

Kritika i drejtohet direkt kryeministrit, Albin Kurti, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Greqi, e sipas opozitës ai do të ishte dashur të kthehet në Kosovë menjëherë pas kësaj që ka ndodhur në Deçan. /Insajderi.com