10 zyrtarë të arrestuar nga aksioni i Prokurorisë në Pejë, Klinë e Istog

10 zyrtarë të arrestuar nga aksioni i Prokurorisë në Pejë, Klinë e Istog

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, është deklaruar rreth aksionit të zhvilluar sot në Komunën e Pejës, Klinës, Istogut, Deçanit e Junikut, njofton Insajderi.

Me anë të një konference për media, Kurmehaj tha se kanë arrestuar 10 persona, katër prej të cilëve ishin drejtorë të urbanizmit dhe të tjerët ishin zyrtarë të lartë, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i autoritetit zyrtar”.

“Kjo iniciative ka rrjedhe prej meje, pas shqetësimit të qytetarëve për ndërtimet pa leje që janë duke u lejuar në Klinë, Deçan, Pejë, Junik dhe Istog. Unë si kryeprokuror kam caktuar pesë prokurorë që janë marrë me rastin. Kemi bastisur tri komuna, Pejë, Klinë Istog, 10 janë arrestuar, disa prej tyre drejtorë të drejtoratit për urbanizëm dhe zyrtarë, nën dyshimet se kanë kryer vepër penale ‘keqpërdorim të pozitës zyrtare’”, ka thënë ai.

Ndërkaq, prokurorja e rastit bëri të ditur se ky është vetëm fillimi, dhe se tashmë kanë siguruar dëshmi për ndërtime pa leje.

Ajo shtoi se në Istog kanë arrestuar katër zyrtarë, në Pejë tre, dy në Klinë, dhe një në Deçan. /Insajderi.com