Bajqinovci: Arrestimet e sotme në Dukagjin s’janë politike

Bajqinovci: Arrestimet e sotme në Dukagjin s’janë politike

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, deklaroi të enjten se arrestimet e sotme në Komunën e Pejës, atë të Klinës, Istogut, Deçanit e Junikut, nuk janë politike, transmeton Insajderi.

Gjatë një aksioni të zhvilluar të enjten në komunat e lartëpërmendura janë arrestuar 10 persona, katër prej të cilëve ishin drejtorë të urbanizmit dhe të tjerët ishin zyrtarë të lartë, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i autoritetit zyrtar”.

E sipas Bajqinovcit, këto arrestime nuk kanë të bëjnë më zgjedhjet lokale.

“Edhe kur ministër i Brendshëm ka qenë Agim Veliu është arrestuar Haki Rugova…Prokuroria është ajo që ka qenë por i ka tashmë duart e lira. Policia është e njëjta. Në prokurori nuk kemi bërë vetting, e as drejtorin e policisë nuk e kemi emëruar ne. Atë e ka emëruar Qeveria e Avdullah Hotit…Këto prokurorë sigurisht se i kanë pasur duart e lidhura”, është shprehur ai në RTV Dukagjini.

Bajqinovci tutje ka deklaruar se për krimin dhe korrupsionin në Kosovë flasin raporte të shumta ndërkombëtare.

Ndërsa, lidhur me situatën në Deçan, ku dyshohet se nga uji i pijes janë helmuar mbi një mijë e 500 qytetarë, ai ka theksuar se “gjendja atje është mjaft shqetësuese”.

Deputeti i shumicës parlamentare ka pohuar se pas daljes së rezultateve përfundimtare, dikush duhet të japë përgjegjësi për ngjarjet në Deçan./Insajderi.com