Zemaj për marrëveshjen e taksës ngjitëse: Marre, turp!

Zemaj për marrëveshjen e taksës ngjitëse: Marre, turp!

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti për marrëveshjen e taksës ngjitëse, sipas së cilës qytetarët nga 1 shtatori obligohen të paguajnë nga 4 euro e 90 cent shtesë kur bëjnë regjistrimin e veturës, njofton Insajderi.

Zemaj ka marrë shembull kërkesën e dikurshme të Lëvizjes Vetëvendosje për heqjen e pagesës për ‘’Rrugën e Kombit’’.

E sipas tij, të kërkosh heqjen e taksës në këtë rrugë, e të vendosësh taksë prej 5 euro “për një stiker”, është hipokrizi.

‘’T’i kërkosh Shqipërisë (me të drejtë) që të heq pagesën për “Rrugën e Kombit”, e ta vendosësh tarifën prej 5 euro për një stiker, është jo vetëm padrejtësi, por edhe hipokrizi. Definitivisht, i padrejti i drejtë nuk mund të bëhet.

Në emër të ‘luftës kundër varfërisë’ të varfëron, në emër të ‘uljes së papunësisë’ e rritë papunësinë, në emër të ‘luftës kundër hajnisë’, të vjedh. Marre, turp!”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Taksa për regjistrimin e veturave e vendosur nga Qeveria Kurti ka ngjallur reagime të shumta ditëve të fundit. Madje, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka kërkuar qytetarëve të protestojnë, ndërsa i ka quajtur mjeshtër të mashtrimeve me tenderë ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësin e tij, Hysen Durmishi.

Ky i fundit, të enjten përmes një sqarimi publik tha se kjo marrëveshje si proces ka filluar në vitin 2018, në kohën kur Haradinaj udhëhiqte me qeverinë, ndërsa Ministria e Infrastrukturës nga Pal Lekaj. Durmishi po ashtu deklaroi se është detyruar ta nënshkruaj këtë marrëveshje më 8 qershor 2021, pasi “në të kundërtën do të kemi dëme financiare si shtet”./Insajderi.com