Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar masa ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrinit” në rast se vërtetohet se ka pasur rol në situatën e krijuar në Deçan, ku dyshohet se nga uji i pijes janë helmuar mbi një mijë e 500 banorë, transmeton Insajderi.
Sipas saj, një çështje e tillë duhet të trajtohet me shumë kujdes dhe duhet kuptuar shkakun pse ka ndodhur për t’u mos u përsëritur më.
“Ne si Ministër e Ekonomisë do të vazhdojmë ta trajtojmë me kujdes për të kuptuar nëse Hidrodrini ka pasur rol në krijimin e kësaj situate, meqë kemi mandat mbikëqyrjen e kompanive rajonale të ujësjellësit.
Kjo çështje duhet të trajtohet nga ekspertët së pari, nuk duhet të politizohet në masën që është politizuar. Ne duhet ta dimë se çfarë ka ndodhur dhe duhet të sigurohemi të mos ndodhë më. Duhet të shohim me kujdes nëse kompania ka pasur rol në situatën e krijuar. Në rast se po, ne do të marrim masa nën fuqinë e mandatit tonë si Ministri e Ekonomisë”, është shprehur Rizvanolli në “DESKU” të KTV-së.
Ajo tutje ka shtuar se shkëputja prej KRU “Hidrodrinit” në krijimin e një ujësjellësi tjetër nuk është zgjidhje ekonomike as logjike. Dhe se problem duhet të zgjidhet për të gjithë, jo për një apo dy fshatra.
Që nga e shtuna e 10 korrikut, mbi një mijë e 500 qytetarë të Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, për shkak të dyshimeve se janë helmuar nga uji i pijes.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka njoftuar se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” nuk do të ketë më në menaxhim Deçanin.
Kjo pasi që Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se në mostrat e ujit të marra me datë 12 korrik nga rajoni i Deçanit, janë identifikuar disa bakterie që mund të japin indikacion për kontaminimin e ujit të pijshëm.
Nga ky institut po ashtu janë dhënë 10 rekomandime, për të cilat nga KRU ‘Hidrodrini’ ka thënë se kanë urdhëruar të gjitha Njësitë Operative të Zonës së Mbulueshmërisë që të fillojnë implementimin e tyre./Insajderi.com