Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës e ka vlerësuar si të papijshëm ujin e pijshëm në komunën e Deçanit, pas konfirmimit të analizave se ka pasur kontaminim të ujit nga mostrat e ujësjellësit “Hidrodrini”, njofton Insajderi.
Në njoftimin e fundit të IKSHKP-së, thuhet se në mostrat e ujit të ujësjellësit të datës 13 korrik, janë identifikuar disa bakterie jo patogjene që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm.
Madje në kaptazhën e fshatit Drenoc janë gjetur bakterie E.Coli.
“Në mostrat e ujit të ujësjellësit të datës 13. 07. 2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes teknikës së identifikimit me MALDI-ToF, në laboratorët e IKShPK-së në Prishtinë, janë identifikuar disa bakterie jo patogjene. Këto baktere mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm, kurse në kaptazhën e Drenocit janë izoluar vlera të shtuara të bakterieve koliforme dhe E.coli. Uji nga kaptazha e Drenocit deklarohet jo i pijshëm”, thuhet në njoftim.
Ndërsa analizat për mostrat nga rrjeti i ujësjellësit që furnizon tri fshatra të Deçanit, nuk kanë rezultuar njëjtë.
“Më datë 15 Korrik 2021 është bërë analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike e tri (3) mostrave të ujit të pijes nga rrjeti i ujësjellësit, i cili i furnizon fshatrat: Prilep, Irzniq, Gllogjan – Komuna e Deçanit (burimi i Gurrave të Hasanagës). Në këto 3 mostra sasia e klorit rezidual është 0.00. 3. Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal, janë duke vazhduar për detektim të patogjeneve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar”.
IKSHPK-ja ka dhënë disa rekomandime:
- Të shtohet kontrolli i Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësor për ngritjen e nivelit të raportimit të rasteve dhe saktësin e të dhënave për pacientët.
- Të shtohet kontrolli i Inspektoratit Sanitar dhe Mjedisor në identifikimin e kyqjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit.
- Në mungesë të ujit nga rrjeti i ujësjellësit të sigurohet uji higjienik për pije nga cisternat e kompanisë ujore komunale deri në normalizimin e gjendjes në të gjitha fshatrat e komunës së Deçanit, pa marrë parasysh a kanë apo jo raste të dyshimta me simptoma gastrointestinale.
- Të bëhet furnizimi i banorëve me ujë të ambalazhuar për pije dhe për përgatitje të ushqimit.
- Pas rikthimit të ujit në rrjet rekomandohet që uji të përdoret vetëm për amvisëri dhe higjienë deri në rekomandimin e ri.
- Kompania ujore publike të përforcojë kontrollin dhe rregullisht të dezinfektojë ujin.
- Ujësjellësi të furnizojë qytetarët me ujë higjienik për pije me orar normal për të pamundësuar kontaminimin dhe për të parandaluar epidemitë hidrike.
- Ekipet e ujësjellësit rajonal të debllokojnë nyjet e kanalizimeve dhe të gjejnë pikat e dobëta në rrjet ku përzihet uji i ujësjellësit me kanalizim dhe gropa septike.
- Të ndalohet dhe ndërpritet rreptësisht kyçja e puseve (bunarëve) në rrjetin e ujësjellësit.
- Të aplikohet respektimi i zonave të sigurisë.
- Të bëhet pastrimi me tretje hiperklorike i kaptazhave dhe rrjetit shpërndarës.
- Të bëhet instalimi i klorizimit të vazhdueshëm.
- Të realizohet monitorimi i sforcuar i ujit në të gjithë rajonin.
- Të ofrohet ndihma e nevojshme për të gjithë pacientët e sëmurë. /Insajderi.com