Shkaktuan panik për helmim të ujit, shoqërohen në Polici dy qytetarë të Ferizajt

Shkaktuan panik për helmim të ujit, shoqërohen në Polici dy qytetarë të Ferizajt

Dy qytetarë të Ferizajt janë shoqëruar për në stacionin policor të premten pasi nëpërmjet postimeve në rrjete sociale kanë shkaktuar panik se është helmuar uji që vjen nga ujësjellësi në këtë komunë, njofton Insajderi.

Siç bën të ditur policia, njëri nga të arrestuarit me inicialet L.J., 30-vjeçar, me videoincizim në rrjete sociale ka bërë thirrje duke thënë: “Përshëndetje krejtve, desha me ju informu që bëni kujdes , mos të pini ujë të qeshmës , sepse kanë ardh lajme se edhe në Ferizaj që ka njerëz të helmuar, kështu që kujdesuni për veten, respekt L.J”.

Personi tjetër, me inicialet A.T i moshës 28-vjeçare, ka shpërndarë në llogarinë e tij në Facebook, thirrjen: “Kujdesni shuuuuum t’madh kur pini Ujësjellës se veç sa kanë fillu mu helmu edhe n’Ferizaj!!”

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, me këtë rast fton qytetarët, që mos të bien pre e keqinformimeve të paidentifikuara, por të bazohen vetëm në informatat të cilat kanë ardhur nga organet kompetente, në këtë rast, nga ‘KRU Bifurkacioni ShA’ Ferizaj”, thuhet në komunikatën për media të policisë.

Rasti ka vazhduar për procedurë të mëtejme hetimore.

Të shtunën e 10 korrikut, qindra qytetarë të Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të dyshimeve për helmim me ujë të pijes. Në analizat e bëra ka rezultuar se në ujin e ujësjellësit “Hidrodrini” që përdoret në këtë komunë, janë gjetur baktere./Insajderi.com