10 raste të dhunës në familje janë regjistruar gjatë dy ditëve të fundit në Kosovë. Vetëm në rajonin e Prishtinës, policia ka raportuar për tri raste të dhunës në familje, shkruan Insajderi.
Të premten e 16 korrikut, policia bën të ditur se ka arrestuar një person në kryeqytet pasi i njëjti për shkak të një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij.
“Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.
Në po të njëjtën datë, në Prishtinë është arrestuar një person pasi që kishte sulmuar me thikë vëllain dhe motrën e tij.
“Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Ndërsa, një ditë më parë, policia njofton se është arrestuar një person, pasi që i njëjti ka ushtuar dhunë ndaj babait të tij.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Rasti tjetër ka ndodhur në Kamenicë më 9 korrik, ku policia njofton se më 16 është arrestuar i dyshuari, pasi pasi që kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje.
Në Prizren, të premten është arrestuar një person i cili dyshohet se në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tij.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndalur në ndalim policor dhe më pas pritet të lirohet.
Po në Prizren është arrestuar edhe një person tjetër të premten për dhunë në familje.
“Raportohet se ka ndodhur një rrahje në mes tre të dyshuarve meshkuj kosovarë Dy nga të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor, ndërsa i dyshuari tjetër është në arrati”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
Një person i dyshuar për dhunë në familje është arrestuar edhe në Istog.
Sipas policisë, i njëjti nën ndikim të alkoolit, ka sulmuar dy viktimat motrën dhe vëllain e tij.
Si pasojë, viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje.
Ndërsa, në Mitrovicë të Jugut janë arrestuar dy vëllezër pasi dyshohet se kanë sulmuar fizikisht babain e tyre.
Viktimës i është ofruar tretman mjekësor në spitalin rajonal. Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia njofton se një rast tjetër i dhunës ka ndodhur në Skenderaj.
Një grua ka kërkuar ndihmë mjekësore, pasi që është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Me vendim të prokurorit, palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
Rast tjetër i dhunës në familje raportohet se ka ndodhur edhe në Mitrovicën Veriore.
Një grua ka raportuar se është sulmuar nga burri i saj, me të cilin ishte duke bashkëjetuar pa kurorë.
“Viktima së bashku me foshnjën e saj është dërguar në familjen e saj, ndërsa i dyshuari është dërguar tek familja e tij. Është njoftuar edhe mbrojtësi i viktimave, pasi viktima ka kërkuar urdhër mbrojtje”, njofton policia.
Rasti është duke u hetuar./Insajderi.com