Gjashtë ekstradime nga Kosova janë kryer në dy javët e fundit

Gjashtë ekstradime nga Kosova janë kryer në dy javët e fundit

Gjatë dy javëve të fundit janë realizuar gjashtë ekstradime me Francën, Zvicrën, Gjermaninë, Italinë dhe Belgjikën, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se përmes realizimit të këtyre ekstradimeve, personat e kërkuar për vepra penale do të ballafaqohen me procedurë penale ose do të vuajnë dënimin e shqiptuar nga autoritetet gjyqësore.

“Për më shumë, të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-213 për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.

Ajo tutje ka bërë të ditur se me “ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji do të ketë ekstradime më të shpejta duke ngërthyer gjithmonë standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut”.

“Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar në luftimin e krimit transnacional dhe në ndërmarrjen e veprimeve të përcaktuara me rendin juridik të Kosovës”, ka përfunduar Haxhiu./Insajderi.com