Bakteret e gjetura gjatë analizave të bëra në ujin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini”, nga i cili dyshohet se janë helmuar qindra banorë në Deçan, janë shumë patogjene dhe të rënda, ka thënë infektologu Hamdi Ramadani.
Sipas tij, nëse këto baktere do të ishin më të zhvilluara, sidomos tek fëmijët do të mund të jenë të rrezikshme.
Fundjavën që lamë pas, qindra banorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan me simptoma helmimi, që dyshohej se ishin nga uji i pijes. Qytetarët që kërkuan ndihmë në QKMF kishin simptoma si: temperaturë të lartë, të vjella, diarre e marramendje.
Teksa dyshimet e para ishin se helmimi ishte shkaktuar nga uji, nga mostrat e dërguara jashtë shtetit, rezultatet kanë nxjerrë se pacientët janë të infektuar me dy lloje të E.Coli dhe një virus i quajtur Norovirus.
“Këto rezultate të analizave të cilat janë marrë nga pacientët në një laborator jashtë vendit, kanë detektuar që bëhet fjalë për një formë shumë të rëndë të bakteries, shumë patogjene të cilën unë kam dyshuar në fakt qysh në ditët e para së bëhet fjalë për E.Coli. E ka po ashtu edhe atë formën e vet toksike, ose toksigjene E.Coli”, ka thënë Ramdani për Telegrafin.
Sipas Ramadanit, qytetarët e Deçanit kanë pasur fat që bakteret nuk janë aq të zhvilluara, sepse siç tha, ai tek fëmijët e kanë efektin shumë më të rëndë.
“E rëndësishme është që u identifikua një baktere e cila është shumë e keqe, sidomos tek fëmijët e ka efektin e rëndë, efektin e dhimbjeve, të temperaturës, bark qitjeve që mund të shkojë deri te më e keqja, por që për fatin tonë të mirë kjo nuk ka ndodhur. Po ashtu është identifikuar një lloj virusi, që mund ta ketë paraqit këtë simptomatoliogji me numër të madh të pacientëve”, tha infektologu Ramadani.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka arrestuar një zyrtar të Agjencisë Kosovare të Pyjeve me seli në Deçan, i cili dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Arrestimi i tij dyshohet se lidhet me rastin e helmimit të rreth 1 mijë e 500 qytetarëve në fshatrat e kësaj komune./Insajderi.com