27 policë janë arrestuar për arrestuar për gjashtë muajt e parë të këtij viti, ndërsa 65 të tjerë janë suspenduar, transmeton Insajderi.
Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe keqpërdorimi i autorizimeve zyrtare, janë dy veprat më të shpeshta për të cilat po hetohen pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe është rritur edhe numri i ankesave të qytetarëve, ku në Inspektoratin e Policor, janë pranuar 923 ankesa, raporton KP.
Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj ka deklaruar se janë 358 raste penale duke u trajtuar nga departamenti i hetimeve.
“Ka një rritje të ankesave të qytetarëve të Kosovës ndaj punës së policisë. Nga janari deri në fund të qershorit, kemi pranuar 923 ankesa të qytetarëve ndaj punonjësve të policisë për shkelje të ndryshme. Të cilat ankesa janë trajtuar në Inspektorat Policor, 358 prej tyre janë vlerësuar që kanë elemente të veprave penale dhe janë dërguar në Departament të Hetimeve për tu trajtuar konform procedurave të Kodit të Procedurës Penale. Ndërkaq, gjithashtu ka një rritje edhe të numrit të veprimeve hetimore dhe suspendimeve që kemi ndërmarrë këtë vit, si Inspektorat i Policisë. Janë suspenduar 65 punonjës të policisë për këto raste që janë trajtuar. Si dhe janë arrestuar 27 zyrtarë të policor për vepra të ndryshme penale sipas autorizimeve të prokurorëve përkatës”, ka deklaruar Hodaj.
Hodaj ka thënë se krahasuar me vitin paraprak, janë rreth 200 ankesa më shumë, derisa tregon se për çfarë veprash penale janë arrestuar dhe suspenduar zyrtarët policorë.
“Prej zyrtarëve të arrestuar dhe të suspenduar janë për vepra të ndryshme penale. Por, kryesisht janë për veprën për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe për keqpërdorim i autorizimeve zyrtare apo pozitës zyrtare. Këto janë dy veprat që janë më të shpeshta. Ndërkaq, ka edhe vepra për shkaktim të lëndimeve trupore, dhunë në familje dhe vepra të ndryshme penale”, ka shtuar ai.
Ndryshe nga ky gjashtë mujor, gjatë vitit 2020 janë arrestuar 32 punonjës policorë të dyshuar për vepra penale, ndërkaq janë suspenduar 83 të tjerë. /Insajderi.com