Ambasada e Amerikës reagon pas kthimit të 11 kosovarëve nga Siria

Ambasada e Amerikës reagon pas kthimit të 11 kosovarëve nga Siria

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka përgëzuar riatdhesimin e djeshëm të 11 kosovarëve nga zonat e konfliktit në Siri, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kjo ambasadë ka mirëpritur vendimin për rikthimin e këtyre shtetasve të Kosovës, duke përfshirë një grua dhe disa fëmijë.

Sipas kësaj ambasade, këto kthime tregojnë se Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësi për qytetarët e saj, duke u bërë lidere në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

“SHBA përgëzon riatdhesimin e djeshëm të qytetarëve kosovarë nga zonat e konfliktit në Siri. Këto kthime demonstrojnë gatishmërinë e Kosovës për të marrë përgjegjësi për qytetarët e saj duke dhënë një shembull për të tjerët. Kosova është lider në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Amerikës në Prishtinë.

Kthimin e 11 shtetasve kosovarë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se me këtë rast MPB-ja jo vetëm që po e ushtron përgjegjësinë ndaj qytetarëve të Kosovës, por edhe si anëtarë të Koalicionit Global për ta mposhtur ISIS-in.

“Kosova është krenare që është lider global në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Sot, ne kemi kthyer 11 shtetas të Kosovës nga zonat e konfliktit në Siri. Duke i kthyer këta persona, ne jemi duke ushtruar përgjegjësinë tonë, jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, por edhe si anëtarë të Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in. Kosova gjithmonë do të jetë shtëpia e qytetarëve të saj. Ata të cilët kanë kryer krime, këtu apo jashtë, do të ndiqen penalisht”, ka shkruar Sveçla në llogarinë e tij në Facebook.

Tutje, ai ka shtuar se Qeveria është duke i ndihmuar shtetasit që të kthehen te familjet e tyre.

“Gruaja dhe fëmijët që kemi kthyer sot kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë. Ne kërkojmë nga të gjithë që të respektojnë privatësinë e tyre në ditët, javët dhe muajt në vazhdim. Ata kanë dhe meritojnë të kenë kohën dhe hapësirën e nevojshme që të adaptohen. Qeveria jonë është duke i ndihmuar që të kthehen në familjet e tyre, në mënyrë që ata të riintegrohen në rrethin e tyre. Ne nuk do të ndalemi së shërbyeri qytetarëve tanë!”, ka shtuar më tej ai. /Insajderi.com