Kryeministri, Albin Kurti ka thënë së Kosova është bërë forcë ndërkombëtare në kinematografi, shkruan Insajderi.
Ai pas vizitës që pati në Festivalin e Cannes ka deklaruar se nuk ka takuar asnjë personalitet arti e kulture që nuk dinte për Kosovën.
“Samir Karahoda dhe Luàna Bajrami ishin krah për krah në Cannes me artistët më të shquar që erdhën këtu prej anekënd globit. Nga shumë mijëra filma ky Festival përzgjodhi rreth një dyzinë sosh për secilën kategori. Shumica dërrmuese e vendeve të botës nuk u kualifikuan. E Kosova kishte dy filma që u shfaqën dhe garuan”, ka deklaruar ai në një postim në Facebook.
Kurti më tej, ka shtuar se në kuadër të vizitës dy-ditore në Kanë ka takuar personalitete të njohura ku u diskutua për mundësinë e shtimit të bashkepunimit.
“Në kuadër të vizitës dyditore në Cannes takova Jerome Paillard, drejtorin e Marche dú Film të Kanës, tregut më të madh të filmit në botë; Stefan Laudyn, Drejtorin e Festivalit Ndërkombëtar të Varshavës; Nikolaj Nikitin, drejtorin e SOFA – shkolla për avancimin e filmit; Katriel Schorry, nga Fondi i Filmit të Izraelit, dhe Helge Albers, nga Fondi i Filmit të Hamburgut. I falënderova për mbështetjen e filmit dhe artistëve nga Kosova si dhe diskutuam për mundësitë e shtimit të bashkëpunimit”, ka pohuar ai.
Ai më tej, ka shkruar së Qeveria që e udhëheq do të jetë pranë artistëve dhe do t’i përkrahë ata si asnjëherë më parë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në Francë për të përcjell nga afër Festivalin e Filmit të Kanës.
Kurti ka marrë pjesë në premierën e festivalit të fimit kosovar “Pa vend”, i cili po garon për “Palmën e Artë”.
Vizita e Kurtit në Francë erdhi pas vizitës disaditore që e kishte në Greqi, ku ishte për një vizitë zyrtare.
Kryeministri pritet që të udhëtojë drejt Brukselit, për takimin e radhës të së hënës që do ta zhvillojë bashkë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. /Insajderi.com