Nga mesi i javës së ardhshme rriten temperaturat në Kosovë

Nga mesi i javës së ardhshme rriten temperaturat në Kosovë

Fillimi i javës së ardhshme do të ketë kushte pothuajse të ngjashme meteorologjike me ditët e fundit, njofton Insajderi.

Kështu bën të ditur Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, në njoftimin e të cilit thuhet se dita e hënë dhe e martë paraqiten me vranësira, riga shiu dhe shkarkime rrufesh.

Nuk përjashtohen mundësitë që në territore të vogla rigat e shiut të shoqërohen me breshër.

“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-28 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja e lehtë dhe lokalisht e fortë. Kushtet agrometeorologjike paraqiten relativisht të mira përjashtuar fushatën e korrje shirjes, sepse këto reshje e kanë ndalur ketë proces i cili mund të vazhdoj sërish nga mesi i javës ku parashihen rreze dielli”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Sasitë e reshjeve të regjistruara në rrjetin e IHMK më të larta ishin në lindje dhe verilindje të territorit, ku sasia totale e reshjeve arriti rreth 50 litër për metër katrorë.

Qendra e Kosovës shënoi 20-25 litër për metër katrorë. Verilindja 40-45 litër për metër katrorë, ndërsa në perëndim të vendit sasia totale e reshjeve u regjistrua nga 15-20 litër për metër katrorë.

Në disa zona të komunës së Skenderajt kishte edhe breshër, ku janë shënuar dëme në kulturën e grurit, misrit dhe në perimekulturë. Në fundjavë parashihen rritje të temperaturave maksimale. /Insajderi.com