Apeli refuzon 4 ankesat e aplikantëve në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve

Apeli refuzon 4 ankesat e aplikantëve në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve

Gjykata e Apelit ka refuzuar katër nga pesë bazat e ankesës ndaj vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, me të cilin ai refuzoi kërkesat e disa individëve për të marrë pjesë si viktima në çështjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, transmeton Insajderi.

Lajmin e kanë bërë të ditur Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në faqen e tyre zyrtare.

“Sot, Gjykata e Apelit hodhi poshtë 4 nga 5 arsyet e apelit të parashtruar më 7 qershor 2021 nga përfaqësuesi i viktimave, në emër të gjashtë individëve, kërkesat e të cilëve për të marrë pjesë si viktima në procedurën kundër Thaçit dhe të tjerëve ishin hedhur poshtë.

Paneli e shtyu vendimin e tij lidhur me arsyen e pestë të apelit dhe ia ktheu atë prapa gjykatësit të procedurës paraprake për shqyrtim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin për media.

Përmes një shkrese, përfaqësuesi i gjashtë aplikantëve, të cilëve u është refuzuar statusi i viktimave, kishte paraqitur ankesë ndaj vendimit të gjyqtarit paraprak, që të njëjtëve mos të u jepet ky status, raporton Betimi për Drejtësi.

Ish-krerët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po mbahen në paraburgim në Hagë, pasi akuzohen për krime lufte.

Më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Krasniqi e Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./Insajderi.com