Deputetja e Patisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu I ka thënë deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje , që të thërrasin një seancë ku do të shkarkonin të gjithë bordet, shkruan Insajderi.
Musliu ka deklaruar që arsyetimi i vetëm që kanë janë votat në Kuvend, ndërsa nuk kanë fakte dhe argumente.
“Thirrni shkarkoni bordet krejt në një seancë, Kosova është përballë edhe ma herët me veprime të tilla, ju e dini në regjime edhe ma herët. Janë këtu disa më të moshuar se ne edhe e dinë çka ka ndodh në viten e 80. Mos hupni kohë, thirrni një seancë të veçantë, shkarkoni të gjitha bordet, nuk keni fakte nuk keni argumente. Arsyetimi juaj i vetëm janë votat që keni në Kuvend”, shtoi Musliu
Ajo më tej, ka thënë se të njëjtit në fjalimet e tyre harruan të përmendin fitoren e 14 shkurtit.
“Ju e keni harruar shahadetin e Vetëvendosjes, urime 14 shkurtin, fitorja e juaj plebishitare. Jeni shumicë, e kjo është e vetmja e vërtetë në të gjitha arsyetimet e juaja”, u shpreh Musliu.
Në seancën e sotme, Rekomandimi i Komisionit për Bujqësi për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, ka nxitur debate të ashpëra mes pozitës dhe opozitës.
Kryetarja e këtij komisioni, Fitore Pacolli, ka renditur disa arsye për shkarkimin e anëtarëve të këtij bordi.
‘’265 mbikalime të hekurudhave, ku 49 persona janë lënduar ndërsa 11 kanë vdekur. Mungesa e vendosjes së shenjave sinjalizuese në vendet përkatëse, duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave ka shkelur rregulloret për rehabilitimin e hekurudhave, ku në Han të Elezit është kontraktuar një kompani italiane e palicensuar”, ka deklaruar ajo./Insajderi.com