PSD dorëzon në Prokurori kallëzim për “tiketën ngjitëse”

PSD dorëzon në Prokurori kallëzim për “tiketën ngjitëse”

Partia Socialdemokrate ka dorëzuar në Prokurori kallëzim penal kundër marrëveshjes për “tiketën ngjitëse”, sipas së cilës nga 1 shtatori qytetarët janë të obliguar të paguajnë nga pesë euro shtesë për regjistrimin e veturës, njofton Insajderi.

Marrëveshja është nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës dhe kompania “Auto Control Kosova”, më qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.

Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj tha se marrëveshja është në dëm të qytetarëve dhe se Qeveria duke favorizuar bizneset po bën vepër penale.

“Një tiketë e tillë është zhvatje ndaj të mirave materiale të Kosovës. Kjo Qeveri po favorizon bizneset e mëdha private, ka vepër penale në këtë rast”.

Kurse Dren Kukaj, tha se rrjedha procedurale e marrëveshjes përbën keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe se komplet marrëveshja është e panevojshme dhe e dëmshme.

Prandaj ai i ka bërë thirre Prokurorisë ta hetojë këtë rast.

“Marrëveshja inkriminon Hysen Durmishin, rrjedha procedurale që i ka parapri kësaj marrëveshje ka keqpërdorime. Vetë marrëveshja është e panevojshme, sepse qytetarët detyrohet të paguajnë”.

“…është krijuar një monopol abuziv. I bëjmë thirrje Prokurorisë që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore. Marrëveshja është dëmshme”./Insajderi.com