Molliqaj: Aksioni i Policisë është urdhëruar nga Qeveria

Molliqaj: Aksioni i Policisë është urdhëruar nga Qeveria

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, është deklaruar pas aksionit të partisë së tij, të zhvilluar të premtën e 16 korrikut, ku u arrestuan aktivistë të kësaj partie – përfshirë edhe vetë atë, transmeton Insajderi.

Molliqaj tha se aksioni i Policisë ishte urdhëruar nga Qeveria dhe shton se ndaj aktivistëve është ushtruar dhunë gjatë arrestimit por edhe në veturat e Policisë deri në stacionin policor.

Në një intervistë televizive për ‘T7’, Molliqaj tha se reagimi i Qeverisë për dhunën që u ushtrua ndaj aktivistëve erdhi vetëm pasi Inspektorati shkarkoi udhëheqësin e aksionit policor.

“Qeveria e Kosovës e ka urdhëruar aksionin. Reagimi i Qeverisë në ora 23:00 ishte pasi e kanë marrë vesh shkarkimin e udhëheqësit të aksionit, të thotë që ne jemi të pakënaqur për dhunën”, tha ai.

Ndaj kreut të PSD-së ishte shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë, për çka tregon se kishte qëndruar në burgun e Ferizajt pasi që në Prishtinë nuk kishte vend.

“Isha në Ferizaj për shkak se në qendrën e ndalimit në Prishtinë nuk kishte vend, dhe më dërguan në Ferizaj. Aksioni I PSD-së ishte i drejtë, i nevojshëm. Ndërhyrja e Policisë ishte e tepruar”, tha Molliqaj.

I pari I PSD-së akuzoi kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme se kanë dorë në organe kompetente, duke shtuar se “vetëm Inspektorati nuk është prekur nga dora e tyre”

“Inspektorati është i vetëmi organ që nuk është prekur nga dora e Xhelalit dhe Albin Kurtit. Presioni publik e ka bërë të vetën. Inspektorati e ka shkarkuar udhëheqësin e aksionit për dhunën që u përdor. Dhuna ndaj aktivistëve u vazhdua edhe në veturat e Policisë së Kosovës deri në stacionin e Policisë”, tha Molliqaj. /Insajderi.com