Për tri ditë rresht, duke nisur nga e mërkura, në Kuvendin e Kosovës do të mbahet aktiviteti “Kuvendi hap dyert për bashkatdhetarët”.
Gjatë tri ditëve, në terminin 10:00 – 16:30, Kuvendi do të jetë i hapur për bashkatdhetarët të cilët dëshirojnë ta vizitojnë ndërtesën e institucionit më të lartë legjislativ.
Me këtë rast Forumi për Transparencë Parlamentare, me mbështetjen e NDI-së, organizon takim me temën “Pandemia COVID-19: Procesi i vaksinimit në Kosovë” në kuadër të aktivitetit “Ditët e Kuvendit”.
“Gjatë qëndrimit në Kuvend, vizitorët duhet t’u përmbahen masave anti-Covid, përkatësisht duhet të jenë të pajisur me maska”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.
Mërgimtarë të shumtë kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në Kosovë. Numri i tyre është shumëfishuar pasi që një pjesë e tyre nuk kanë mundur që të vijnë vitin e kaluar për shkak të pandemisë COVID-19. Nga Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” ditë më parë kanë njoftuar se vetëm gjatë muajit qershor janë realizuar një mijë e 378 fluturime, me gjithsej 176 mijë e 92 udhëtarë./Insajderi.com