Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë paralajmëruar se Kosova shumë shpejt mund t’ua ndalojë me ligj fëmijëve blerjen e pijeve energjike.
Fitore Pacolli dhe Milazim Salijaj, kanë kërkuar nga Drejtoria për Hulumtime brenda Kuvendit të Kosovës një hulumtim se si është e rregulluar përdorimi i pijeve energjike në vendet e rajonit dhe në Evropë.
Në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, Pacolli tha se tashmë hulumtimin e kërkuar e kanë pranuar dhe tani do të vazhdojnë konsultimet me shoqërinë civile dhe institucionet përkatëse.
Bazuar në hulumtim, Pacolli tha se Kosova akoma nuk ka bazë ligjore që sanksionon përdorimin e pijeve energjike tek personat nën 18 vjeç
“Bashkë me Milazimin do të fillojmë propozimet për ndryshime ligjore të paraprirë nga disa hulumtime të nevojshme, diskutime publike dhe fushatë për vetëdijesim në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe institucionet përkatëse”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, nga Kuvendi i Kosovës në një përgjigje me shkrim për gazetën kanë thënë se “Sipas kërkesës së Kryetares së Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, znj. Fitore Pacolli, parashtruar më datë 01.07.2021, Drejtoria për Hulumtime, Bibliotekë dhe Arkiv, ka përgatitur Punim Hulumtues Parlamentar/Analizë krahasimtare, me temën ‘Rregullimi ligjor i përdorimit të pijeve energjike në Kosovë, rajon dhe Evropë’”.
Ndërsa, sa i përket përmbajtjes së hulumtimit, nga Kuvendi kanë njoftuar se janë analizuar dhe paraqitur në hulumtim praktikat dhe legjislacioni, si: Rregullimi ligjor i pijeve energjike në Evropë; si dhe Rregullimi ligjor në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mbretëri të Bashkuar, etj.
Por, miratimi i një ligji të tillë po shihet si problematik nga njohësi juridik, Arton Demhasaj.
Ai për Insajderi-n tha se ndalimi i përdorimit të pijeve energjike për personat nën moshës 18-vjeçare është çështje shumë e rëndësishme që të rregullohet.
Por, sipas Demhasajt, për ta miratuar një ligj të tillë është problematike.
Ai tha se e gjithë procedura, edhe nëse përshpejtohet, mund të marrë kohë deri në tre muaj.
“Nëse fare nuk ka bazë ligjore që e rregullon këtë çështje, atëherë lind nevoja për ta hartuar një ligj të ri. Për bërë një gjë të tillë duhet fillimisht të merren iniciativa nga deputetët e Kuvendit, apo ndonjëra nga ministritë, pastaj duhet të bëhet draft-ligji dhe të kalojë në Qeveri, e pastaj në Kuvend, duhet të miratohet në lexim të parë dhe lexim të dytë”.
“Edhe nëse përshpejtohen këto procedura, është problematike që të paktën para tre muajve një ligj i tillë të mund të miratohet”.
Por, për ta bërë më të lehtë, Demhasaj shtoi se Qeveria duhet të shikojë ligje të tjera që janë të ngjashme dhe në to të vendosë dispozita të caktuara që ndalojnë përdorimin e pijeve energjike për fëmijët./Insajderi.com