Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe një hoxhë i kësaj komune, Osman Musliu, janë përplasur verbalisht në rrjete sociale, njofton Insajderi.
Lladrovci e ka quajtur Osmanin “mulla rrenci”, pas një deklarate të bërë nga ky i fundit lidhur me zgjedhjet lokale.
Kësaj akuze i është kundërpërgjigjur Osmani, duke thënë se Ramiz Lladrovci nuk do të mund të bëhej as kryetar komune nëse nuk do të ishte vëlla i heroit, Fehmi Lladrovci.
“Ani me babën hoxhë ani, mirë e ki ti! I kofsh falë që je vëlla i kujt je, se sa për aftësitë dhe doktoraturat tua nuk t’kish ra me dal fort në sheher nga arat e fushat e Gllanasellës duke luajtur ‘pitpitak; e sa për kryetar e votë të qytetarëve, ti duhet tua puthësh kambët disave në krah të të cilëve je aty e të cilët fatkeqësisht janë në burg”, ka shkruar Musliu.
“…frikësohem se ndaj tyre do këndosh si bilbil, se në komunë veç me nxjerr naj dokument kishe shku najherë”, ka shtuar ai.
Lladrovci sot i është përgjigjur hoxhës Osman Musliu, i cili një ditë më parë drejtoi lutje te Zoti që të mos I fitojë sërish zgjedhjet lokale në këtë komunë.
“Mulla rrenci nuk është i vetmi i verbuar nga padituria në komunë që nuk i sheh projektet e realizuara dhe ato në realizim. Komenti im është: Do Zoti e kthen në rrugën e drejtë, bile deri në Bajramin tjetër”, ka thënë Lladrovci për ‘Infokusin’. /Insajderi.com