Betim Gjoshi, sekretar organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, i cili njëherësh është kryesues i Komisioni për Punëve të Jashtme dhe Diasporë, po përdorë gjuhë kërcënuese ndaj Bashkimit Evropian.
Në mbledhjen e këtij komisioni të mbajtur të mërkurë, Abazi deklaroi se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës është rrezikim i ombrellës së sigurisë së BE-së, njofton Insajderi.
E këtë deklaratë, Gjoshi e ka quajtur jo-miqësore dhe kërcënuese për shtetet anëtare të BE-së.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka pyetur nëse kryeministri Albin Kurti pajtohet me deklaratat e bashkëpartiakut të tij.
“Ja kush është kryetar i komisionit parlamentar për politikë të jashtme në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo është gjuha e tij jo-miqësore me shtetet anëtare të BE-së. Cili është qëllimi i kësaj deklarate kërcënuese?”.
“Kush e ka mësuar të flasë kështu? A pajtohet Albin Kurti me këtë mendim të bashkëpartiakut të tij? A jeni të vetëdijshëm se me këtë gjuhë po krijoni barriera mes shtetit të Kosovës dhe shteteve tjera?”, ka shkruar Gjoshi në Facebook.
Ai tutje është shprehur se shefi i qeverisë me njerëzit që ka zgjedhur t’i qëndrojnë afër vetes, “po dëshmon për mungesën e vizionit dhe qartësisë në rrugën e tij”./Insajderi.com