Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, ka pritur në takim shoqatat e familjarëve të personave të zhdukur.
Ky është takimi i pari i të birit të Ukshin Hotit prej se u emërua në krye të këtij Komisioni.
“Prej ditës së parë kur e kam marrë pozitën e kryesuesit të komisionit, kam dashur që takimi i parë zyrtar i ftuar prej meje të jetë me familjarët e personave të zhdukur, në këtë rast me shoqatat që përfaqësojnë familjarët e personave të zhdukur”.
Sot është mbajtur ky takim në objekt të Qeverisë së Kosovës, dhe më vjen mirë që këta familjarë e kanë mirëprit emërimin tim në të dyja pozitat dhe e kanë ofruar bashkëpunimin e tyre të plotë me mua në udhëheqje të këtyre pozitave”, ka thënë Hoti për KP.
Hoti ka deklaruar se “do t’i menaxhojë emocionet kur të përballet me palën serbe”.
Babai i tij, veprimtari i shquar kombëtar Ukshin Hoti, është i zhdukur.
Mijëra shqiptarë janë të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se çështja e të pagjeturve do të jetë pjesë e bisedimeve me Serbinë. /Insajderi.com