Të premten në të gjitha xhamitë e vendit, në “Ligjëratën e Xhumasë” do t’u bëhet thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër Coronavirusit.
Kjo është bërë e ditur nga Bashkësia Islame e Kosovës, e cila përmes një statusi në Facebook ka thënë se në kuadër të ligjëratës së ditës së xhuma (e premte), ftojnë që t’i bëhet thirrje xhematit (besimtarëve që marrin pjesë në ligjëratë) dhe familjarëve të tyre që t’i përgjigjen thirrjes së Qeverisë së Kosovës për vaksinim.
“Në kuadër të ligjëratës së ditës së xhuma (dt.23.07.2021) ftojmë që t’i bëhet thirrje xhematit (dhe nëpërmes tyre familjarëve të tyre) që t’i përgjigjen thirrjes së Qeverisë së Kosovës për vaksinim kundër virusit Covid 19, si dhe si masë parandaluese kundër infektimit me variantin e ri të koronavirusit, të ashtuquajtur varianti indian Delta, i cili paraqet rrezikshmëri shumë më të lartë për shëndetin se sa ai aktual”, thuhet në njoftimin për media të BIK-ut.
Që nga fillimi i procesit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 333,705 doza të vaksinës.
Deri më sot 99,377 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./Insajderi.com