Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se ka nisur të premten asfaltimi i shtresës së parë në projektin “Ndërtimi i rrugës nacionale N25, segmenti Besi – Podujevë, Llot 4”, shkruan Insajderi.
Sipas tij, kjo po ndodhë për qytetarët dhe vetëm për ta,” pavarësisht pengesave, sabotazhave e përpjekjeve “të grupeve të organizuara kriminale që t’i pengojnë”.
“Mision e kemi që sa më parë të përfundohen projektet që janë zvarritur me vite të tëra”, ka thënë ai.
Durmishi, të enjten mori vendim për zbritjen e çmimit të paraqitjes së provimit për patentë shofer prej 20 Euro në 10 Euro.
Lajmi është bërë i ditur nga MMPHI-ja, përmes një postimi në Facebook.
“Në përputhje me nenin 74 të Ligjit nr.05/L-064 për Patentë-Shofer, dhe shtojcës 1 pika 10 të Rregullores (QRK) nr.02/2021 për fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, u nxjerr vendimi i ri, i cili përcakton çmimet e paraqitjes së provimit të kandidatëve për patentë shofer nga pjesa teorike dhe praktike për secilën kategori”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ky vendim vjen pas atij për pezullimin e marrëveshjes për “tiketat ngjitëse”, sipas së cilës nga 1 shtatori qytetarët do të duhej të paguanin nga pesë euro shtesë kur bëjnë regjistrimin e veturës.
Lidhur me këtë, partitë opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e Durmishit, pasi i njëjti kur njoftoi për vendimin e marrë tha se “pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe vëmendjes së madhe të opinionit publik kam gjetur dokumente e raporte që janë kontradiktore me njëra tjetrën”./Insajderi.com