Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos hezitojnë për t’u vaksinuar kundër Coronavirusit, njofton Insajderi.
Përmes një njoftimi, nga IKSHPK-ja kanë thënë se nuk duhet lejuar mbyllja e të gjithëve nga pakujdesia e disave.
“Vaksinohuni, kudo që vëreni persona që nuk janë vaksinuar, këshilloni që të vaksinohen për të ruajtur shëndetin e tyre, dhe të afërmeve të tyre. Ju lutemi për kujdes të shtuar, virusi është kudo, virusi vret”, thotë njoftimi.
Më tej, nga Instituti thonë se qytetarët nuk duhet nënvlerësuar virusin.
“Mos vaksinimi përkeqëson situatën epidemiologjike, rritë rastet e sëmundjes, rritë rastet e vdekjes, mos mbingarkoni institucionet shëndetësore”.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 333.705 doza të vaksinës, deri më sot 99.377 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Terminin për ta marrë vaksinën mund ta bëni KËTU./Insajderi.com