Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, tha se nëse rritet numri i pacientëve të infektuar dhe nuk i binden vaksinimit, opsioni i vetëm është mbyllja e vendit, transmeton Insajderi.
Sipas tij, varianti Delta është mjaft i rrezikshëm dhe ka mundësi që të përhapet në masë të madhe.
Vishaj shtoi se është e mundur edhe paraqitja e valëve të tjera të virusit në vjeshtë, duke shtuar se vaksinimi është e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur.
“Nëse kemi një numër të madh të pacientëve të infektuar dhe njerëzve që nuk i binden vaksinimit mbyllja e vendit duhet të jetë si opsion. Vaksinimi është mjeti i duhur dhe e vetmja mënyrë që neve na mbron nga ardhja e valëve tjera të ashpra të cilat përshkruhen me numër të madh të pacientëve të sëmurë dhe me humbje të jetëve”, tha ai për EO.
Vishaj theksoi se efektet anësore janë aq shumë minimale në raport me të mirat që sjellin vaksinat.
Ai tha se vaksinat janë jashtëzakonisht të sigurta sepse njerëzit që vaksinohen në të ardhmen mund të infektohen, por nuk zhvillojnë formën e rëndë klinike.
“Për momentin kemi medikamente të mjaftueshme në trajtimin e pacientëve tanë. Nëse na vije një fluks shumë i madh vështirësitë mund të na paraqiten dhe në mënyrë që të mos na paraqiten një fluks i tillë i njerëzve neve na duhet ndihma e qytetarëve që të vaksinohen”.
Ndryshe, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 343.333 doza të vaksinës. deri më sot 102.210 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./Insajderi.com