Andin Hoti, i biri i veprimtarit të zhdukur Ukshin Hoti, tani po angazhohet drejtpërdrejtë në mënyrë institucionale për zbardhjen e fatit të babait dhe të gjithë personave që Serbia i mori dhunshëm dhe për fatin e të cilëve ende nuk dihet.
I emëruar ditë më parë në krye të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur dhe drejtues i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështje të personave të zhdukur, Andin Hoti thotë është i gatshëm të përballet me palën serbe.
Sipas tij, faktori ndërkombëtar duhet të bëjë më shumë presion ndaj Serbisë që të hapë arkivat dhe të tregojë vendndodhjen për një mijë e 632 personat e zhdukur dhe të vihet drejtësi.
Andin Hoti, në një bisedë me KosovaPress, ka thënë se këto dy emërime nuk i sheh si pozitë pune, por obligim moral për të bërë më shumë drejt zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.
Hoti ka theksuar nevojën për rritje të presionit nga faktori ndërkombëtar mbi palën serbe, meqë siç thotë ai, Serbia është adresa e vetme për personat e zhdukur.
“Ne kemi nevojë shumë për përkrahjen dhe trysninë e faktorit ndërkombëtar. Në këtë rast, adresa e vetme për personat e zhdukur me forcë është Serbia, Qeveria e Serbisë, sepse ne e dimë që gjenocidi që ka ndodhur në Kosovë e ka bërë qeveria e atëhershme e Serbisë dhe adresa e vetme edhe për zbardhjen e fatit të këtyre personave është qeveria e Serbisë, por ne edhe si delegacion do të tentojmë të bashkëpunojmë me komisionin homolog që e kemi në Serbi atje, komisionin qeveritar të tyre për personat e zhdukur, në mënyrë që Serbia duke e pasur parasysh edhe presionin ndërkombëtar, që po shpresojmë ta rrisim, të hap arkivat e luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ai.
Zbardhja e fatit të personave të zhdukur, Hoti ka thënë se është çështje humane dhe duhet të trajtohet si e tillë, por sipas tij, për Serbinë vazhdon të jetë politike andaj shton se presioni i faktorit ndërkombëtar mbetet rruga e vetme që Serbia të bindet për hapjen e arkivave.
Hoti ende nuk e di kur do ta ketë takimin e parë me palën serbe, por thotë se do ta tejkalojë aspektin emocional dhe prioritet do ta ketë zbutjen e plagës së secilit familjar që ende pret të dëgjojë lajm për më të dashurit e zhdukur.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka emëruar Andin Hotin kryesues të Komisionit qeveritar për Persona të Pagjetur dhe kryetar të delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur në kuadër të grupit punues për persona të zhdukur./Insajderi.com