Krerët e shtetit: Sot nëpërmjet Distrisë, Kosova shkëlqeu para tërë botës

Krerët e shtetit: Sot nëpërmjet Distrisë, Kosova shkëlqeu para tërë botës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është krenare përherë me fitoren e Distria Krasniqit në Lojërat Olimpike në Tokjo.

Ajo me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka deklaruar se sot nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës.

“Distria i solli Republikës sonë medaljen e dytë të artë olimpike. Nder e krenari e lumturi e papërshkrueshme. Ajo e ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës”, ka pohuar Osmani.

Ajo tha se Distria dëshmoi sot që është e pamposhtur dhe krenaria e Kosovës.

“Distria, e para e botës, dëshmoi sot sërish se është e pamposhtur dhe se është krenaria e vendit tonë. Ajo dëshmoi që talenti dhe puna triumfojnë gjithnjë. Sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës. Sot dhe përherë, Kosova do të krenohet me ty. Bravo”, ka shkruar Osmani.

Fitorën e Distria Krasniqit, e ka uruar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë së me zemër është më xhudistet në Tokio.

“DISTRIA E ARTË. Në garën e parë në Lojërat Olimpike, Kosova fiton medaljen e artë”.“Faleminderit që po bëni krenar secilin prej nesh. Me zemër jam me ju në Tokio”, ka shkruar Kurti.

Fitimin e medales së artë Olimpike e ka komentuar edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se ajo ka arritur t’i bëjë krenarë gjithë shqiptarët, duke fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Rama në një postim në rrjetin social Facebook, Distria Krasniqin e ka quajtur “luaneshë”.

“LUANESHË. Bravo, Bravo, Bravo”, shkruan Rama.

Ndryshe, xhudistja Distria Krasniqi ka fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Distria e ka nisur mbarë ditën e parë të “Tokio 2020”, pasi ka fituar tri ndeshjet e para dhe pastaj edhe finalen për ta fituar të artën olimpike.

Pejania ka fituar ndeshjen e parë ndaj me ‘ippon’ ndaj brazilianes, Gabriela Chibana, ndërsa në çerekfinale mposhti gjithashtu me ‘ippon’ Chen Hao Lin në kategorinë deri në 48 kilogramë./Insajderi.com