Më pak se 30% e mësimdhënësve janë vaksinuar, rrezikohet viti i ri shkollor

Më pak se 30% e mësimdhënësve janë vaksinuar, rrezikohet viti i ri shkollor

Më pak se 30 për qind e numrit të përgjithshëm të mësimdhënësve në Kosovë janë imunizuar kundër Coronavirusit, apo shtatë mijë e 300 nga gjithsej 24 mijë e 370.

Numri i vogël i mësimdhënësve të imunizuar po vlerësohet si brengosës dhe rrezik për vijimin normal të vitit të ri shkollor.

Derisa nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit thonë se nuk ka ligj që e bënë vaksinimin të detyruar, nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës deklarojnë se nuk do të kundërshtojnë nëse bëhen obligative vaksinimi i mësimdhënësve.

Ymer Ymeri, përfaqësues nga kjo sindikatë thotë për KosovaPress se nuk ka asnjë arsye që mësimdhënësit të refuzojnë vaksinimin.

Ai potencon se mos vaksinimi i mësimdhënësve mund të ndikojë që viti i ri shkollor të rrezikojë të nisë me prezencë fizike në objektet shkollore.

“Edhe për neve si SBASHK është brengosëse ky numër i vogël i vaksinimit të punëtorëve arsimorë, për shkak se siç e dimë është krijuar mundësia që të gjithë të vaksinohen dhe mos vaksinimi i punëtorëve arsimorë mund të shkaktojë mos fillimin e procesit mësimor në shkolla.

Prandaj, ju bëjmë apel edhe një herë mësimdhënësve, të gjithë punëtorëve arsimorë, në veçanti mësimdhënësve, të vaksinohen për shkak se ka kohë që të merret edhe doza e parë edhe doza e dytë para se të fillojë viti shkollor”, thotë Ymeri.

Ai deklaron se nuk do të kundërshtojnë nëse merret vendim që vaksinimi i mësimdhënësve të bëhet obligativ.

“Nëse ministria e Shëndetësisë ose ministria e Arsimit ose qeveria e Republikës së Kosovës e bënë të kushtëzuar fillimin e punës në shtator për mësimdhënësit me vaksinim ne nuk do të dalim kundër atij qëndrimi të qeverisë.

Nuk do të dalim kundër institucioneve të Republikës së Kosovës në qoftë se ata mendojnë që duhet të jetë obligative çështja e fillimit të vitit shkollor për mësimdhënësit, se mësimdhënësit duhet të jenë ajo shtresë të cilët nuk duhet të hezitojnë as nuk duhet të jenë të hamendur a duhet të vaksinohen apo jo, sepse i vetmi shpëtim nga virusi është vaksinimi”, potencon ai.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se nuk ekziston asnjë ligj i cili detyron vaksinimin, por thotë se një gjë e tillë është obligim moral.

Megjithatë bën thirrje për vaksinim në mënyrë që të bëhet i mundur fillimi normal i vitit të ri shkollor.

“Nuk ekziston asnjë ligj i cili e detyron dikë që të vaksinohet, në rastin e mësimdhënësve konsideroj se ky është një obligim moral në radhë të parë ndaj vetvetes, ndaj kolegëve dhe ndaj nxënësve. Shfrytëzoj rastin që t’i ftoj të gjithë mësimdhënësit që të vaksinohen në mënyrë që të bëjnë të mundur fillimin normal të vitit të ri shkollor, ta ruajnë shëndetin e tyre, shëndetin e kolegëve dhe të fëmijëve”, thotë ai.

Mësimdhënësit kanë qenë kategori me prioritet për vaksinim, në mënyrë që në shtator të fillojë procesi i rregullt mësimor./Insajderi.com