Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si “ditë të rëndë për Kosovën”, ngjarjen e sotme në Kroaci.
Kjo pasi një autobus me 69 pasagjerë që po vinte në Prishtinë nga Frankfurti u aksidentua rreth orës 06:20.
10 persona kanë vdekur e 15 të tjerë janë lënduar, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve te Jashtme dhe Diasporës.
“Jemi të gjithë të trishtuar e të prekur thellë nga humbja e shumë jetëve të bashkatdhetarëve tanë në tragjedinë e mëngjesit të sotëm në Kroaci”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Po ashtu, kreu i LDK-së, falënderoi autoritetet kroate për mbështetjen e ofruar.
“Falënderoj gjithë autoritetet kroate, Kryeministrin Plenkoviq, Ministrin e Brendshëm e atë të Shëndetësisë që me përkushtim të plotë kanë ofruar gjithë kujdesin e tyre atje”.
Ndërkohë, nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kërkuar që presidentja e Kosovës të shpallë ditë zie.
Krerët e institucioneve në Kosovë e Kroaci, kanë shprehur ngushëllime për tragjedinë. /Insajderi.com