Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është nisur për në Kroaci, aty ku një autobus që vinte nga Frankfurti për në Prishtinë u aksidentua, për të lënë të vdekur dhjetë persona.
Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, 15 persona janë në gjendje të rëndë e 44 të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore.
Kurti për në Kroaci nuk është nisur i vetëm.
Bashkë me të është edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Shtabin Emergjent për koordinim të komunikimit të institucioneve të Kosovës dhe të Kroacisë me familjarët e bashkatdhetarëve të cilët udhëtonin me autobusin e linjës Frankfurt- Prishtinë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Rreth orës 06:20, të dielën autobusi doli nga rruga. Kishte 69 pasagjerë. /Insajderi.com