Kryeministri kroat për vdekjen e 10 kosovarëve: Ka kohë të gjatë që nuk patëm një aksident të rëndë si ky

Kryeministri kroat për vdekjen e 10 kosovarëve: Ka kohë të gjatë që nuk patëm një aksident të rëndë si ky

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë se për një kohë të gjatë nuk ka pasur ndonjë aksident trafiku të rëndë si ky i autobusit me kosovarë, që u rrokullis në autostradën afër qytetit Slavonski Brod, transmeton Insajderi.

Në një konferencë për media, Plenkoviq pasi i vizitoi të lënduarit nga aksidenti, tha se janë duke ndihmuar në të gjitha mënyrat dhe do të vazhdojnë punën e tyre në këtë aspekt.

“Unë dua t’i shpreh ngushëllimet e mia në emër të Qeverisë dhe popullit kroat për të gjitha familjet e të lënduarve në aksidentin pranë Slavonski Brod, në të cilën humbën jetën dhjetë persona”, tha kryeministri, duke falënderuar i ministrat, shërbimet e policisë si dhe mjekët që u morën me rastin, shkruan Dnevnik.

“Ne do të ndihmojmë me gjithçka që është e nevojshme. Jo të gjithë do të jenë në gjendje të shkojnë në Kosovë në të njëjtën kohë, disa janë të plagosur, disa nuk janë, ne do të ndihmojmë me transportin dhe në të gjitha mënyrat që nevojiten”, shtoi ai.

Autobusi i cili ishte nisur me 69 udhëtarë nga Gjermania për në Kosovë, u vetaksidentua të dielën rreth orës 06:00 të mëngjesit. 10 persona mbetën të vdekur, duke përfshirë njërin nga shoferët, ndërsa 15 të tjerë janë në gjendje të rëndë shëndetësore. /Insajderi.com