Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar spitalin ku po trajtohen të lënduarit nga aksidenti i rëndë që ndodhi gjatë mëngjesit të së dielës në Kroaci, përcjell Insajderi.
Bashkë me Kurtin ishte edhe homologu i tij kroat, Andrej Plenkoviq, shkruan “Index.hr”.
Gjatë kësaj vizite Kurti ju drejtua mediave duke thënë se “kjo është një ditë e vështirë për njerëzit tanë”.
Ai më tej falënderoi kryeministrin Plenkoviq për ndihmën dhe reagimin e shpejtë.
Më tej kreu i Qeverisë së Kosovës njoftoi se ka vizituar të gjithë pacientët, përfshirë edhe ata në kujdësin intensiv.
“Unë dua të falënderoj Kryeministrin Plenković për ndihmën e tij dhe reagimin e shpejtë, por edhe mjekët. Pacientët tanë janë në duar të mira, ata kanë ndihmë psikologjike dhe mjekësore,” tha ai. “Unë kam vizituar pacientë në të gjitha dhomat dhe ata në njësinë e kujdesit intensive”, tha Kurti duke falënderuar të gjithë stafin mjekësor që po kujdeset për pacientët.
“Ne jemi këtu për të qenë me qytetarët tanë që ishin të përfshirë në këtë aksident”, tha kryeministri Kurti, i cili udhëtoi për në Slavonski Brod me disa nga ministrat në kabinetin e tij.
“Qindra qytetarë që jetojnë jashtë Kosovës vijnë në Kosovë, ekonomia jonë varet nga ajo. Unë dua të falënderoj qeverinë kroate dhe Plenkoviq edhe një herë, por gjithashtu të shpreh ngushëllimet e mia për familjet e viktimave”, përfundoi Kurti.
10 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë kanë marrë lëndime të rënda trupore në aksidentin e sotëm të autobusit me regjistrim nga Kosova, i cili po udhëtonte nga Gjermania për në Kosovë. /Insajderi.com