Plenkoviq: Kurtin e sollën në Slavonski Brod pilotët kroatë të KFOR-it

Plenkoviq: Kurtin e sollën në Slavonski Brod pilotët kroatë të KFOR-it

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, thotë se homologu i tij kosovar, Albin Kurti, është dërguar atje sot nga pilotët e ushtrisë kroate që janë pjesë e KFOR-it, njofton Shqip.com. Në një konferencë të përbashkët për media me Kurtin, Plenkoviq shprehi ngushëllime të gjithë familjarëve që i kanë humbur më të dashurit e tyre nga aksidenti që ka ndodhur në autostradën afër qytetit Slavonski Brod të Kroacisë. “Më erdhi mirë që Albin Kurti ka ardhur në Kroaci. I falënderoj pilotët e ushtrisë kroate në kuadër të KFOR-it që ndihmuan që kryeministrin ta sillnin këtu”, ka thënë ai. “Në aksidentin që ka ndodhur të gjitha ekipet kanë dalë në vendin e ngjarjes, policia ka qenë atje, ekipet shëndetësore kanë dhënë ndihmën e parë”, shtoi kryeministri kroat. Ai më tej njoftoi se shumica nga pacientët, të cilët po trajtohen në spital janë jashtë rrezikut për jetë. “Jemi duke qëndruar pranë të lënduarve që e përjetuan këtë ngjarje. Ju shpreh ngushëllime të gjitha familjeve për personat që i kanë humbur. Kemi vizituar të gjithë pacientët, shumica janë jashtë rrezikut për jetë. Jemi duke synuar të jemi sa më afër këtyre njerëzve që e përjetuan këtë shok dhe i mbijetuan”,ka thënë Plenkoviq. /Insajderi.com