Flamuri i Republikës së Kosovës është ulur në gjysmë shtizë për aksidentin tragjik që ndodhi të dielën në Kroaci, ku mbetën të vdekur 10 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që e hëna e 26 korrikut të shpallet ditë zie shtetërore në nderim të qytetarëve kosovarë që humbën jetën tragjikisht në një aksident trafiku në Kroaci.
Kështu është bërë e ditur nga Zyra e Presidentes, ku thuhet se shkaku i kësaj ngjarje tragjike, Osmani e ka ndërprerë vizitën e saj në Japoni dhe sot do të udhëtojë drejt Kosovës.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Republikën e Kroacisë”, thuhet në njoftimin e ZPRK-së.
“Shkaku i kësaj ngjarje tragjike, Presidentja Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe nesër do të udhëtojë për në Kosovë”.
10 persona kanë humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar gjatë mëngjesit të së dielës në Brod të Kroacisë, në një aksident të një autobusi i cili po vinte nga Gjermania në Kosovë.
Ndërsa, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela, janë kthyer nga Kroacia.
Ata mbrëmë kanë vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit.
Në Kroaci, sipas Qeverisë, po qëndrojnë Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla dhe ai i Shëndetësisë, Arben Vitia./Insajderi.com