Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka bërë të ditur se 26 persona të lënduar nga aksidenti i djeshëm në Kroaci, janë në proces të lirimit nga spitali kroat ku po trajtohen.
Sipas kësaj ministrie, trajtimin mjekësor në spital do ta vazhdojnë 15 persona, gjendja shëndetësore e të cilëve është stabile.
”Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nga komunikimi me autoritetet kroate përmes ambasadës së Kosovës në Zagreb, lidhur me gjendjen e bashkatdhetarëve të aksidentuar dje në Sllavonski Brod, njofton opinionin publik se nga të dhënat e konfirmuara deri në orën 14:00, janë 26 persona në proces të lirimit nga spitali”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim, thuhet se vetëm një rast është në gjendje më të rëndë.
Ndryshe, flamuri i Republikës së Kosovës është ulur në gjysmë shtizë për aksidentin tragjik që ndodhi të dielën në Kroaci, ku mbetën të vdekur 10 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që e hëna e 26 korrikut të shpallet ditë zie shtetërore në nderim të qytetarëve kosovarë që humbën jetën tragjikisht në një aksident trafiku në Kroaci./Insajderi.com