Bolton: Thaçi e Vuçiq e kanë shqyrtuar mundësinë për korrigjim territorial

Bolton: Thaçi e Vuçiq e kanë shqyrtuar mundësinë për korrigjim territorial

Ish-këshilltar i Donald Trump, John Bolton, thotë se derisa ishte këshilltar i sigurisë kombëtare ka shqyrtuar dhe diskutuar me Presidentin Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e një korrigjimi të vogël territorial, transmeton Insajderi.

Sipas Bolton, Qeveria e Kosovës ka të drejtë të thotë se nuk dëshirojnë të diskutojnë për korrigjimin e territorit, por për t’u arritur progres në negociata do të jetë praktikisht e vështirë.

“Nëse palët nuk dëshirojnë të flasin për korrigjimin e territorit, me përkufizim heqin një zgjidhje të mundshme përbërëse dhe ngushtojnë opsionet për të gjetur zgjidhje”.

I pyetur për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog, Bolton citon fjalët e ish-Sekretarit të Shtetit, Jim Baker, i cili tha se “Shtetet e Bashkuara nuk mund të duan paqe më shumë sesa vetë palët në konflikt”.

“Ish-Sekretari i Shtetit, Jim Baker, i cili dëshmoi para Kongresit për çështjen Arabo-Izraelite, tha se ‘Shtetet e Bashkuara nuk mund të duan paqe më shumë sesa palët në konflikt’, kështu që kur dy palët në konflikt duan të arrijnë paqen, ata do të bëjnë për vete dhe jo për shkak të negociatorëve të paqes në krah”, tha ai në një intervistë për mediumin serb “Kosovo Online”.

Ish-këshilltari për siguri nacionale i Trumpit më tej tha se ende nuk dihet cili është qëndrimi i administratës amerikane sa i përket Ballkanit, kjo sipas tij pasi që Uashingtoni aktualisht po merret më shumë me çështjet e brendshme sesa me politikë të jashtme.

Në pyetjen se sa është Ballkani në fokus të Administratës Amerikane, Bolton ka theksuar se “padyshim që është një pyetje e rëndësishme, por nuk mendoj se me të vërtetë e dimë përgjigjen në këtë pikë. Fushata e Biden ka shmangur përgjigjen e shumë pyetjeve të huaja dhe të brendshme, dhe unë mendoj se për momentin administrata e Biden po përqendrohet në çështjet e brendshme, jo në politikën e jashtme, kështu që unë nuk e di se kur do të marrim një përgjigje për këtë pyetje”. /Insajderi.com