Zyra e Avokatit të Shtetit në Kroaci ka konstatuar se shoferi i autobusit me targa të Kosovës, i cili të dielën u aksidentua në Kroaci, ka qenë i lodhur dhe i paaftë për të vozitur.
Sipas njoftimit nga kjo zyrë, shoferi është marrë në pytje dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit.
“Më 26 korrik 2021, Zyra e Prokurorit të Shtetit të Qarkut në Sllavonski Brod ka marr në pyetje shtetasin 52-vjeçar të Republikës së Kosovës për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale të shkaktimit të një aksidenti trafiku”, njoftoi fillimisht Zyra e Avokatit, raporton index.hr, transmeton Insajderi.
Tutje thuhet se “Ekziston një dyshim i bazuar se i dyshuari 52-vjeçar po ngiste një autobus në korsinë jugore të autostradës A3 afër Sibinj më 25 korrik 2021 rreth orës 6.15 të mëngjesit, në kundërshtim me nenin 47, paragrafi 2 dhe nenin 198, paragrafi 1 i Aktit të Sigurisë së Trafikut Rrugor dhe se në gjendje të lodhjes dhe paaftësisë për të drejtuar automjetin në mënyrë të sigurt”.
“Me atë rast, autobusi u përplas dhe u përmbys në anën e djathtë, duke vrarë dhjetë vetë dhe duke plagosur dhjetë të tjerë, dëmtime të rënda trupore ose plagosje të rënda kërcënuese për jetën”.
Sipas Zyrës së Avokatit, pas ekzaminimit të të pandehurit, do të merret një vendim mbi hetimin dhe kjo zyrë do t’i paraqesë gjykatësit hetues të Gjykatës së Qarkut Slavonski Brod një propozim për të urdhëruar paraburgim në përputhje me nenin 123, paragrafi 1, pika 1 e KPP / 08/.
Një autobus me targa të Kosovës u aksidentua të dielën duke dalë jashtë rrugës në afërsi të Sllavonski Brodit në Kroaci dhe duke shkaktuar vdekjen e dhjetë pasagjerëve, gjersa dhjetëra të tjerë janë lënduar./Insajderi.com