Në mesin e viktimave të aksidentit në Kroaci edhe një prizrenas

Në mesin e viktimave të aksidentit në Kroaci edhe një prizrenas

Njëri nga dhjetë viktimat e aksidentit tragjik që ndodhi të dielën në Kroaci, është nga qyteti i Prizrenit, njofton Insajderi.

Kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka, përmes Facebook-ut tha se viktima H.H ishte nisur nga Gjermania “për t’u çmallur me mëmëdhenë”.

Tutje Haskuka u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe të afërmve të të ndjerit.

“Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen H., miqtë dhe të afërmit e të ndjerit. Në këtë gjendje tejet të vështirë, lutemi që të gjejnë forcën për ta përballuar këtë dhimbje. Ngushëllime për gjithë familjarët e viktimave! Zoti i mëshiroftë, qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!”, ka shkruar i pari i Prizrenit.

Një autobus me targa të Kosovës u aksidentua të dielën duke dalë jashtë rrugës në afërsi të Sllavonski Brodit në Kroaci dhe duke shkaktuar vdekjen e dhjetë pasagjerëve, gjersa dhjetëra të tjerë janë lënduar.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se 26 pacientë të cilët po trajtohen në spitalin e Slavonski Brod në Kroaci të cilët i kanë mbijetuar aksidentit tragjik, pritet të lirohen gjatë ditës së hënë./Insajderi.com