Qytetarët të cilët i kanë mbijetuar aksidentit tragjik që ndodhi të dielën në Kroaci, janë nisur për në Kosovë, njofton Insajderi.
Medium kroat 24sata ka publikuar pamjet nga nisja e pasagjerëve.
Ndërkohë, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se udhëtarët të cilët kanë shpëtuar nga aksidenti tragjik do të kthehen në Kosovë me transport të linjës ajrore sot, e martë, pas orës 22:00, transmeton Insajderi.
Sveçla më tej bëri të ditur se në mbrëmje pritet që në Kosovë të kthehen edhe trupat e personave që nuk arritën t’i mbijetojnë aksidentit.
Një autobus me targa të Kosovës u aksidentua të dielën duke dalë jashtë rrugës në afërsi të Sllavonski Brodit në Kroaci duke shkaktuar vdekjen e dhjetë pasagjerëve, gjersa mbi 40 janë lënduar.
Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë, ku njëri nga shoferët ka vdekur. Autobusi po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.
Shoferit që po voziste në momentin tragjik, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh./Insajderi.com