Viktimat e aksidentit në Kroaci pritet të varrosen nesër

Viktimat e aksidentit në Kroaci pritet të varrosen nesër

Dhjetë viktimat që vdiqën tragjikisht në aksidentin në Kroaci, pritet që të transportohen të mërkurën në Kosovë. Dy prej tyre i është bërë obduksioni pasi nuk kanë pasur të afërm të cilët e kanë konfirmuar identitetin e tyre.

Kështu ka bërë të ditur për Insajderi-n kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili të martën u kthye në Kosovë pasi kishte vizituar spitalin e Slavonski Brod në Kroaci, ku po trajtoheshin të lënduarit e aksidentit.

“Nesër pritet të vijnë në Kosovë 10 viktimat, ndërsa sot të lënduarit. Viktimat do të vijmë me gjasë me furgon me frigorifer, e më pas Forca e Sigurisë së Kosovës sipas informatave që kam, do t’i shpërndajë trupat e pajetë tek familjarët”, tha Latifi.

Ai shtoi se nga Komuna e Rahovecit janë dy qytetare të lënduara nga ky aksident, nënë e bijë, për të cilat Latifi deklaroi se bashkë me pacientët e tjerë po trajtohen në mënyrë profesionale nga ana personelit shëndetësor të spitalit.

Një autobus me targa të Kosovës u aksidentua të dielën duke dalë jashtë rrugës në afërsi të Sllavonski Brodit në Kroaci duke shkaktuar vdekjen e dhjetë pasagjerëve, gjersa mbi 40 janë lënduar.

Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë, ku njëri nga shoferët ka vdekur. Autobusi po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Maas, ka njoftuar se në mesin e viktimave të aksidentit është edhe një gjerman.

Shoferit që po voziste në momentin tragjik, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh./Insajderi.com