Qeveria e Kosovës thotë se është duke punuar maksimalisht për të ofruar trajtimin dhe kujdesin e duhur për qytetarët të cilët i kanë mbijetuar aksidentit tragjik që ndodhi të dielën në Kroaci, përcjell Insajderi.
Sipas njoftimit, institucionet e Kosovës në koordinim me ato të Kroacisë, kanë organizuar kthimin e bashkëqytetarëve në Kosovë, “gjendja shëndetësore e të cilëve është stabile”.
“Ata do të vijnë sonte me transport ajror, pas orës 22:00”, thuhet në kumtesën e qeverisë.
Tutje, Qeveria bën të ditur se do të organizojë transportin dhe përcjelljen e bashkëqytetarëve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” deri te familjet, në vendbanimet e tyre.
“Ministria e Punëve të Brendshme është në kontakt të vazhdueshëm me familjet e viktimave lidhur me procedurat e kthimit në Kosovë të trupave të personave që humbën jetën në aksidentin tragjik të së dielës”.
Një autobus me targa të Kosovës u aksidentua të dielën duke dalë jashtë rrugës në afërsi të Sllavonski Brodit në Kroaci duke shkaktuar vdekjen e dhjetë pasagjerëve, gjersa mbi 40 janë lënduar.
Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë, ku njëri nga shoferët ka vdekur. Autobusi po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.
Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Maas, ka njoftuar se në mesin e viktimave të aksidentit është edhe një gjerman.
Shoferit që po voziste në momentin tragjik, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh./Insajderi.com