Në pritje të mërgimtarëve të aksidentuar në Kroaci edhe liderët institucional

Në pritje të mërgimtarëve të aksidentuar në Kroaci edhe liderët institucional

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë arritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, për të pritur mërgimtarët të cilët i kanë mbijetuar aksidentit tragjik i cili ndodhi të dielën e 25 korrikut në Slavonski Brod të Kroacisë.

Në aeroport tashmë kanë arritur edhe familjarët e mërgimtarëve të cilët pritet të vijnë nga Kroacia, njofton Insajderi.

Në orën 11:00 pritet të ketë edhe konferencë për medie.

Ndërsa, trupat e personave që vdiqën tragjikisht pritet të arrijnë të mërkurën në mëngjes në Kosovë.

Ndryshe, një autobus me targa të Kosovës u aksidentua të dielën duke dalë jashtë rrugës në afërsi të Sllavonski Brodit në Kroaci duke shkaktuar vdekjen e dhjetë pasagjerëve, gjersa mbi 40 janë lënduar.

Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë, ku njëri nga shoferët ka vdekur. Autobusi po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Maas, ka njoftuar se në mesin e viktimave të aksidentit është edhe një gjerman.

Shoferit që po voziste në momentin tragjik, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh./Insajderi.com