Trupat e pajetë të viktimave të aksidentit në Kroaci sot arrijnë në Kosovë

Trupat e pajetë të kosovarëve që vdiqën si pasojë e aksidentit të ndodhur në Kroaci, pritet të arrijnë këtë mëngjes në Kosovë, njofton Insajderi.

Bartjen e kufomave po e bën falas, kompania “Pikëllimi”.

Kjo u bë e ditur nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media  që e mbajti mbrëmë në Aeroportin e Prishtinës.

Ai më tej në këtë adresim tha se trupat e pajetë janë në ardhje e sipër në Kosovë dhe se arritja e tyre pritet në orët e mëngjesit.

Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme kanë zbritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, mërgimtarët të cilët i kanë mbijetuar aksidentit tragjik në Kroaci.

Përveç familjarëve të shumtë, edhe presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryekuvendari Glauk Konjufca, kanë pritur të lënduarit. /Insajderi.com